Gjermania ka hapur dyert për njerëzit e kualifikuar

Për stabilizimin e tregut të punës në të gjitha aspektet jetësore Gjermanisë i duhet aktualisht afro një milion fuqi punëtore nga bota e kualifikuar.  I kualifikuar nuk është ai person që thjesht ka siguruar një certifikatë apo një diplomë specializimi, por vetëm e vetëm ai që është në gjendje ta ushtrojë si askush tjetër profesionin e arritur.

Pavarësisht këtij prioriteti për punësim në Republikën Federale Gjermane të huajt nuk mund t’i shmangen dot obligimit për zotërimin e gjuhës gjermane në nivelin B1 apo B2. Në këtë pikë nuk bëhet asnjë lëshim dhe është mirë kështu. Se për specialistët e huaj poshtë këtij niveli shfrytëzimi prej të tjerëve thellohet nga dita në ditë, pagesa krahasuar me të tjerët që kryejnë të njëjtën punë është tejet e ulët, keqkuptimet e lindura në ambientin e punës janë sa të ndryshme aq dhe banale. Kundrejt një realiteti të tillë iluzionet i bëjnë vend dëshirës imediate për largimin pa kthim nga ky vend, sikurse ka ndodhur e po ndodh me mijëra e mijëra të huaj nga mbarë bota.

Njëherë e një kohë shteti gjerman ka financuar vetëm kualifikimin e atyre që ende s'i kishin mbushur 35 vjet. Sot ky kufi moshe nuk ekziston më, pasi specializimi i mëtejshëm i njërit apo tjetrit ka hyrë në fondin e interesit të firmave për të cilat punohet.

Në mbyllje të këtij shkrimi po përmendim atë çka është esensiale për ju: nëse doni të punoni e jetoni e të ndiheni mirë në Gjermani, duhet së pari të ndiheni mirë në truallin e njohurive gjuhësore të fituara që në Shqipëri. Ëndërr e largët? Aspak! Në kurset tona ëndrra juaj bëhet gjithsesi e prekshme, po qe se vërtetë jeni të vetëdijshëm për udhën e nisur.


Pyetje të shpeshta lidhur me provimin telc Deutsch B2

A duhet të frekuentoj patjetër ndonjë kurs, nëse dua të jap provimin telc Deutsch B2?
Vijimi i një kursi nuk është aspak obligim për dhënien e provimit Goethe B2 apo telc B2. Nëse mësoni intensivisht dhe jeni kërkues ndaj vetes, keni kursyer të hollat që duhen paguar për kursin. Dhënia e provimit kushton para, ndaj dhe duhet të parapërgatiteni më së miri. Ka studentë që për një parapërgatitje të tillë preferojnë vijimin e një kursi, pasi në grup frymon konkurrenca e cila jo vetëm na vë në lëvizje, por na bën më efektivë. Vetëm duke qenë përbërës i një grupi mund ta vlerësojmë veten me objektivitet.

Ku mund ta jap provimin telc Deutsch B2?
Në çdo vend të botës, pra edhe në Shqipëri.

Sa kohë është e vlefshme certifikata e arritur?
Certifikata nuk ka afat skadimi, pra është e pakufizuar kohërisht. Megjithatë ka institucione dhe punëdhënës që nuk i pranojnë certifikatat mbi dy vjetë të vjetra.
 
Cila certifikatë gjuhësore është më e mira: Goethe apo telc?
Të dyja janë të barasvlershme. Ato janë të njohura dhe pranohen jo vetëm në vendet gjermanofone, por edhe në mbarë botën.

Cili provim është më i vështirë: Goethe apo telc?
Të besosh se njëri provim është më i vështirë apo më i lehtë se tjetri, është naivitet, pasi këtu kemi të bëjmë thjesht me dy formate të ndryshme, ku vëmendje të madhe nuk kërkojnë vetëm pyetjet që duan përgjigje, por edhe ndjesia kundrejt kohës së kufizuar. Që provimet të kryhen kohërisht me sukses duhen njohur paraprakisht format përkatëse të tyre.

A mund të përsëritet një pjesë e provimit apo në rast nevoje edhe i tërë provimi?
Të dyja rastet janë të mundshme, por meqë përsëritja kërkon shpenzime të reja, është mirë që në provim të shkohet vetëm i përgatitur, pra me besim të patundur për marrjen e tij.  

Sa pikë më duhen për arritjen e certifikatës telc Deutsch B2?
Për marrjen e certifikatës nevojiten vetëm 60% e totalit të pikëve të mundshme.

Kujt i duhet patjetër dhënia e provimit telc Deutsch B2?
Arritja e certifikatës telc Deutsch B2 është domosdoshmëri për ata që në vendet gjermanofone planifikojnë të nisin një shkollë profesioni, i hyn në punë personave të huaj që aktualisht punojnë në shërbimin publik, në spitale apo kopshte fëmijësh. Për të huajt që në vendet e tyre kanë studiuar mjekësi dhe profesionin e tyre duan ta ushtrojnë në Gjermani dëshmia B2 e gjuhës gjermane është si të thuash kushti paraprak drejt realizimit të planit të tyre, pasi vetëm në këtë stad gjuhësor nis procesi për njohjen e të gjitha diplomave apo certifikatave të fituara prej tyre. Sa i përket ushtrimit të profesionit mjekësor ata duhet të japin në Gjermani edhe një provim përmbyllës në nivelin C1 lidhur me mjekësinë, për të dëshmuar kësisoj kompetencat gjuhësore të specialitetit të tyre.



































Report abuse Learn more